01Jan

  • Nga HAT.al

Na ndodh shpesh të vërejmë gabimet që ndodhin para syve tanë kur konsumojmë në restorante, bare e kafene. Në fakt, ato gabime ndodhin aq shpesh sa herë herë na duken normale dhe kështu mësohemi t'i pranojmë. Kush e ka fajin? Stafi i patrajnuar? Kultura e mangët në mikpritje? Këtu nuk e kam fjalën për mikpritjen në familje dhe për miqtë, por për mikpritjen si industri: “HOSPITALITY” = MIKPRITJE, të presësh miq (klientë) në nje bar, kafe, restorant, hotel.

Ja, 10 gabimet që ndodhin më shpesh në mikpritje:

1.       Pyetja e parë që bën kamarieri: Si je mirë? Në vend që të pyesë: Mirëdita, mirë se erdhët, me cfarë mund t’Ju shërbej? Eventualisht duhet të bëjë dhe sugjerime për porosinë.

2.       Prek/kap gotat tek buzët e tyre. Kurrë! Të paktën, kurrë në sy të klientit.

3.       I heq klientit të gjitha gotat nga tavolina. Është njësoj sikur t’i thuash “ngrihu nga tavolina, ti nuk po konsumon më”! Kur klienti ka mbaruar, të gjitha mund të pastrohen nga tavolina, përveç një gote; gota e fundit nuk hiqet kurrë nga tavolina deri sa klienti të ikë.

4.       Tregon me gisht kur tregon rrugën për në tualet apo një drejtim çfarëdo. Kamarieri duhet gjithmonë të tregojë drejtimin me pëllëmbën e dorës duke e kthyer anash me gishtat mbyllur,  të drejtuar nga drejtimi qe do të tregojë. Është e turpshme të tregosh me gisht në përgjithesi, jo më në bare e restorante.

5.       Hyn e del në sallë pa kriter. Kamarieri nuk duhet të bëjë asnjë rrugë boshe. Ka gjithmonë diçka për të çuar dhe ka gjithmone diçka për të marrë mbrapsht. Mendo! Mendo para se të nisesh diku se çfarë je duke bërë dhe çfarë je duke çuar. Këmbët do të ta dinin për nder, por edhe klienti gjithashtu! Shumë ecejake të panevojshme në restorante e bare prishin atmosferën e krijojnë kaos.

6.       Prek fytyrën me dorë. Mos e prek fytyren, as flokët! Sidomos flokët!

7.       Nuk ka dijet e profesionale minimale. Informohu! Mos guxo të shërbesh një shishe verë pa qënë i informuar se si shërbehet ajo! Kanë kaluar kohët e informalitetit edhe në shërbim. Dikush që posorit një shishe verë, me siguri, ka ca njohuri mbi verën dhe pret të shërbehet si duhet: të shohë etiketën para se të hapet shishja, të bëjë provën e shijes, të presë sa të shërbehen miqtë e tij dhe më pas të shërbehet i fundit,… etj, etj.

8.       Shërben në kahun e gabuar. Shërbe vetëm djathas! Mblidhi pjatat po djathtas! Shërbimi majtas ndodh vetëm në shërbimin “French” kur ushqimi shërbehet me një plateau dhe kamarieri me një lugë dhe pirun të mbajtur mes gishtave (tong) ndan ushqimin nëpër pjata.

9.       Thërret klientin “djali” ose “vajza”. As kamarieri dhe as klienti nuk duhet të thërrase ashtu, por të thërrasë “zonjë/ zotëri/ zonjushë”.

10.   Shpërndan pjatat në tavolinë dhe zhduket. Jo! Kamarieri duhet të jetë gjithmonë në afërsi për çdo shërbim tjetër të mundshëm, madje të pyesë nëse gjithçka është në rregull. 

 

Gladiola Dona

Hospitality and Tourism Academy Trainer